Letër për nënën
E dashur nënë!
Ju keni sjellë në jetë një foshnjë. Ne ju përgëzojmë me gjithë zemër për këtë veprim! Me dorëzimin e foshnjës në dritaren për bebe në Einsiedeln, ju i jepni asaj mundësinë të nisë një rrugë të re në jetë, dhe të jetë e lumtur. Ne ju falënderojmë që dëshironi më të mirën për fëmijën tuaj. Ne e kuptojmë vendimin e vështirë që duhet të merrni dhe na lejoni t'ju konfirmojmë se nuk do të ndiqeni penalisht për dorëzimin e fëmijës.
Ju keni të drejtën që ta kërkoni sërish fëmijën tuaj deri në momentin e realizimit të një birësimi të mundshëm. Birësimi mund të kryhet vetëm pasi të ketë kaluar një vit nga dorëzimi i fëmijës. Ndihma Zvicerane për Nënën dhe Fëmijën, me nr. telefoni 0800 811 100 (pa pagesë) dhe adresë emaili helpline@shmk.ch, do të vërë në dispozicionin tuaj krejtësisht falas ndihmën e nevojshme financiare dhe sociale, me qëllim që ju t'i mundësoni fëmijës suaj një të ardhme të mirë. Nëse dëshironi, ne mund t'ju këshillojmë edhe në mënyrë anonime. Ne jemi gjithmonë aty për t'ju ndihmuar!
Ju lutemi të njoftoni spitalin në Einsiedeln, Ndihmën Zvicerane për Nënën dhe Fëmijën ose Autoritetin e Kujdestarisë në Einsiedeln. Njoftimi juaj do të trajtohet me fshehtësi të plotë.
Do të ishte mirë për fëmijën tuaj nëse i vendosni një emër në një letër dhe nëse i lini ndonjë informacion për origjinën e tij, në një zarf të mbyllur. Një letër të tillë mund të na e dërgoni neve edhe më pas. Ajo do të ruhet tek Autoriteti i Kujdestarisë në Einsiedeln dhe do t'i jepet fëmijës në momentin që mbush moshën madhore.
Duhet të tregoni kujdes për shëndetin tuaj. Një lindje pa mbikëqyrjen mjekësore mbart shumë rreziqe. Merrni këshilla nga një mjeke ose mjek profesionist. Nëse ju nevojitet një mjeke ose një mjek i pavarur dhe pa pagesë, njoftoni Ndihmën Zvicerane për Nënën dhe Fëmijën. Aty do të merrni ndihmën e nevojshme.
Ne ju urojmë shumë forcë dhe guxim
Spitali Einsiedeln / Tel. 055 418 51 11
Ndihma Zvicerane për Nënën dhe Fëmijën / Tel. 0800 811 100 (pa pagesë)
Autoriteti i Kujdestarisë Einsiedeln / Tel. 055 418 42 24