Çfarë u shkruajnë nënat foshnjave të tyre

Kur nënat lënë një letër gjatë dorëzimit të foshnjave të tyre në dritaren për bebe, ato i ndihmojnë fëmijët që të kuptojnë më mirë arsyet e dorëzimit të tyre dhe të rivlerësojnë të kaluarën e tyre individuale. Kjo letër është një dëshmi domethënëse e faktit që nuk është e lehtë të dorëzosh një foshnjë. Tri letrat e mëposhtme janë gjetur në një dritare për bebe në Lübeck (Gjermani).

E shtrenjta Felicitas, Shpresoj se një ditë do të më falësh që unë lejova që dikush tjetër të kujdeset për ty. E kam bërë këtë veprim, sepse mendoj se ti do të ishe shumë më mirë në një familje që ka kohë që dëshiron një fëmijë dhe që mund të të kushtojë ty shumë kohë dhe shumë dashuri. Orët më të bukura për mua ishin ato kur të kisha pranë vetes. Ti ishe bebja më e bukur që unë kisha parë ndonjëherë. Të uroj dhe dëshiroj që ti të bëhesh më e mirë sesa unë dhe shpresoj që një ditë do të bëhesh një nënë shumë e mirë. I lutem Zotit që një ditë të takohemi sërish.

Të dua shumë
Nëna jote

Ne thjesht dëshirojmë më të mirën për të dhe kjo gjë na copëton zemrën, por tani nuk jemi ne më të mirët që t'i ofrojmë gjithçka që dëshirojmë. Ju lutemi ta trajtoni mirë dhe të kujdeseni për të, sepse e meriton. Ne do të dëshironim që emri i tij të ishte Lars, dhe do të ishte diçka shumë e bukur nëse realizohet. Ne e duam dhe do të mendojmë gjithmonë për të! Ju lutemi ruajeni letrën dhe tregojani atij kur të ketë arritur moshën për ta kuptuar se për ne nuk ka qenë dhe nuk është e njëjta gjë!

Vajza quhet Sara. Më vjen shumë keq, por nuk mund ta mbaj Sarën. Meqenëse kam shumë probleme, Sara nuk mund të përshtatet në jetën time. Jam e sigurt se ju do t'i gjeni një nënë më të mirë, e cila mund t'i japë Sarës atë që unë nuk e kam.

Më vjen vërtet shumë keq.
Data e lindjes: 02.08.03, 15:45