Pyetje dhe përgjigje

Pse është krijuar dritarja për bebe?

Synimi dhe qëllimi i dritares për bebe është që të ofrojë një mundësi ndihme për situata ekstreme urgjente, me qëllim që të parandalohen braktisjet e fëmijëve dhe vrasja e foshnjave. Në rastin e braktisjes dhe të vrasjes së foshnjës, edhe pse në situatë urgjente, nëna dënohet penalisht (me burgim). Kur foshnja dorëzohet në dritaren për fëmijë, është e kundërta.

Deri pas sa kohe mund ta kërkoj sërish fëmijën tim dhe çfarë dokumentesh duhet të paraqes që unë jam nëna / babai i fëmijës?

Fëmija mund të kërkohet deri në momentin e ekzekutimit të procesit të birësimit. Ky afat zgjat minimumi një vit. Më e mira do të ishte që prindërit t'i drejtoheshin Autoritetit të Kujdestarisë në Einsiedeln (Tel. 055 418 42 24). Në shumicën e rasteve, ky autoritet urdhëron kryerjen e një analize të ADN-së, për të garantuar që fëmija të mos kërkohet nga persona të tjerë.

Çfarë ndihme ofron Ndihma Zvicerane për Nënën dhe Fëmijën (SHMK)?

SHMK-ja është një fondacion i pavarur, jofitimprurës dhe i certifikuar nga ZEWO, i cili është totalisht i orientuar drejt ofrimit të këshillimit dhe të ndihmës për nënat në nevojë. Ky fondacion ofron ndihmë financiare, materiale, ligjore dhe juridike për gratë, çiftet dhe familjet që kalojnë vështirësi serioze si rezultat i një shtatzënie ose i lindjes së një fëmije. Ai ju jep adresat e specialistëve të tjerë, të qendrave ditore për fëmijët, të shoqatave të dadove për fëmijë, si dhe të strehimit. Ju nuk duhet të paguani asgjë për ndihmën falas që ju ofrohet. SHMK-ja ndihmon që prindërit të mund ta marrin sërish fëmijën e tyre pas një dorëzimi të mundshëm dhe me qëllim që të shpëtohet jeta e fëmijës.

Sa e madhe është ndihma financiare që ofron SHMK-ja në çdo rast?

Kjo varet nga rrethanat individuale të jetesës. SHMK-ja ofron ndihmën e duhur profesionale dhe, sipas rrethanave, mbulon kostot e përgjithshme të shpenzimeve për fëmijën.

A mbeten anonime kërkesat në SHMK?

Po, anonimiteti është i garantuar. Në kuadër të ndihmës materiale ose financiare duhet që të mësohet identiteti i personave që kërkojnë ndihmë dhe në çdo rast duhet të paraqiten dokumente të tjera. Këshillueset dhe këshilluesit e Ndihmës Zvicerane për Nënën dhe Fëmijën janë të detyruar ligjërisht që të ruajnë sekretin profesional.

A është e ligjshme dritarja për bebe?

Po, dritarja për bebe është e ligjshme. Ajo ndihmon në parandalimin e braktisjes dhe të vrasjes së foshnjave, duke shpëtuar kështu jetë njerëzish. Asnjëri nga ata që lë një foshnjë të sapolindur në dritaren për bebe nuk ndiqet penalisht. Foshnja është e sigurt dhe kujdesi i treguar për të është i shkëlqyer.

Ka juriste dhe juristë që e kritikojnë dritaren për bebe, sepse ajo bën të mundur që një foshnjë të dorëzohet në duar të sigurta në mënyrë anonime. Rrjedhimisht, fëmija mund të mos e mësojë asnjëherë prejardhjen e vet biologjike dhe për këtë mund të vuajë gjatë gjithë jetës. Por nuk është e saktë që nga kjo të arrihet në përfundimin se dritarja për bebe është e paligjshme. Edhe nëse nuk mbetet gjallë, asnjëherë nuk mund të mendojë për prejardhjen e tij biologjike.

Ne i këshillojmë nënat dhe baballarët që të njoftojnë Ndihmën Zvicerane për Nënën dhe Fëmijën (në nr. e telefonit pa pagesë 0800 811 100). Në një bisedë private, ju do të merrni këshillimin dhe ndihmën e nevojshme, me qëllim që të shpëtoni jetën e një fëmije.

Gjithashtu, ne ju këshillojmë që të vendosni pranë foshnjës një letër me sa më shumë informacion që të jetë e mundur për rrethanat e dorëzimit të tij/saj ose të njoftoni Autoritetin e Kujdestarisë në Einsiedeln (Tel. 055 418 42 24), si dhe të jepni pëlqimin tuaj në rastin e birësimit.